Sugjerojmë:

Si të përgatisësh lëvore çokollate në shtëpi si një ekspert

Në vendet me një traditë të hershme të çokollatës, si Belgjika dhe Zvicra, lëvorja e çokollatës është një ndër dhuratat më të këndshme që mund t’i bësh dikujt që ka dobësi për çokollatën. Në vitet e fundit, copëzat e thyra të çokollatës me një shtresë të sipërme frutash të thata apo çfarëdo tjetër që i ka shkuar ndërmend krijuesit të tyre, po njihen gjithnjë e më shumë dhe në Shqipëri, ndaj dhe do të ishin një dhuratë ideale për miqtë tuaj adhurues të çokollatës. Por në vend që blini ato të përgatitura në pastiçieri, përse të mos i bëni vetë me duart tuaja? Ku ka më bukur se dhuratat artizanale?

Niseni gjithnjë me çokollatë cilësore, pasi çokollatat e zakonshme japin një rezultat aspak të mirë.

Për të ndihmuar procesin e shkrirjes dhe për ta bërë masën të njëtrajtshme, prijeni çokollatën në copëza të vogla me një thikë të madhe kuzhine.

Mbushni një tenxhere me 5 cm ujë dhe lëreni të ziejë. Çokollatën e prerë hidheni në një tas rezistent ndaj nxehtësisë i cili mund të qëndrojë mbi tenxhere, por pa e prekur ujin. Tenxheren hiqeni nga soba kur uji ka zier dhe mbi të, vendosni tasin me çokollatën. Me një spatul silikoni, trazoni masën derisa të ketë shkrirë plotësisht për 10-12 minuta dhe të ketë temperaturë midis 45-50 gradë Celcius.

Hiqeni tasin nga tenxherja, fshini me një peshqir pjesën e poshtme dhe shtoni një copë çokollate të paprerë. Mbulojeni me spatul me çokollatën e shkrirë dhe copa e madhe do të nisë të shkrijë, por jo plotësisht. Matni temperaturën dhe kur të ketë shkuar në 35 gradë Celcius pas 4-5 minutash, hiqeni copën e çokollatës të pashkrirë. Shtoni një copë të dytë të paprerë çokollate dhe përsërisni procesin derisa të ketë arritur në 30 gradë Celcius, e më pas hiqeni sërish copën e paprerë. Përziejeni lehtësisht çokollatën për 1 minutë më shumë. I gjithë ky proces kaq specifik shërben për temperimine çokollatës, që ajo të mos humbë shkëlqimin dhe të mos humbasë ngjyrën e thellë.

Në dy tava, shtroni letër kuzhine dhe me shpejtësi, që çokollata të mos ngrijë, përhapni përzierjen me një spatul metalike. Sa më e hollë të jetë shtresa, aq më bukur do të duket në thyerje.

Për shtresën e sipërme, mund të shfrenoni fantazinë, por jini duarshpejtë, pasi përbërësit duhet të ngjeshen në çokollatë që të qëndrojnë. Portokall i ëmbëlsuar i grirë me bajame, mango e tharë dhe arra, stika, lajthi etj. Variantet janë të pafundme, por bënio kujdes që përveç shijes, edhe ngjyrat e përdorura të jenë atraktive për syrin.

Pasi të vendosni shtresën e sipërme, lërini tavat në një vend të freskët dhe të thatë për 12 orë (jo në firgorifer). Pas 12 orëve, hiqeni çokollatën nga letra e kushinës dhe me kujdes, thyjejeni në copëza me madhësi të ndryshme.

Dhe që ta çoni kryeveprën tuaj deri në fund, krijoni një paketim të këndshëm artizanal, që do t’i lërë të mrekulluar miqtë tuaj çokollatëdashës.

Lini një koment