Sugjerojmë:

Si të sterilizoni kavanozët e turshive dhe reçelrave?

Po vjen vera dhe bashkë me të edhe përgatitjet e marmelatave, konservave e turshive të ndryshme. Për të evituar disa rreziqe shëndetësore dhe mbetje të ushqimit, është thelbësore t’i sterilizoni mirë vazot, tapat e kapakët para se t’i mbushni me përgatitjet e ndryshme. Bëhet fjalë për një procedurë që nuk kërkon shumë kohë.

Nuk ka nevojë të blini vazo të reja nëse keni në shtëpi si ato që keni përdorur për konserva të tjera: është e rëndësishme të shikoni nëse janë ende në gjendje të mirë, sidomos tapat dhe izoluesit.

Le të shohim tani hap pas hapi si të procedojmë me sterilizimin e vazove të turshive dhe reçelrave:

  • Për të filluar, është e rëndësishme të dini se sterilizimi i kavanozave dhe kapakëve duhet të kryhet pak para përdorimit të tyre dhe jo shumë kohë më parë.
  • Si fillim lani mirë kavanozët, kapakët me gominë të atyre me mbyllje hermetike, kapakët e tapat.
  • Merrni një tenxhere të madhe dhe të thellë dhe shtroni një pecetë në të. Vendosni vazot me grykë lart në të dhe mbështillini me një pecetë edhe përsipër në mënyrë që të mos thyhen gjatë zierjes.
  • Mbusheni tenxheren me ujë derisa vazot të mbulohen, ndizni zjarrin dhe lërini të vlojnë. Kur uji të nis të ziejë, uleni nxehtësinë dhe lërini vazot në tenxhere edhe për gjysmë ore. Rreth 10 minuta para se t’i hiqni, fusni në ujë edhe kapakët. Më pas, fikeni sobën dhe lërini të ftohen.
  • Vendosini vazot të kthyera përmbys mbi një pecetë të pastër dhe thajini mirë para se t’i përdorni për konservat tuaja në shtëpi.
  • Në momentin e mbushjes, lërini bosh gjysmë centimetri nga skaji dhe më pas mbyllini me tapë hermetikisht.  Sigurohuni që pasi t’i mbyllni hermetikisht, t’i ktheni përmbys për të kontrolluar nëse rrjedhin.

Lini një koment