Intervista/ Edhe djemtë shqiptarë gatuajnë! Ju prezantoj me Flavion, food-blogerin që lë mënjanë komplekset dhe na kënaq me recetat e tij

Neps.al vazhdon rrugëtimin e tij të intervistave duke zbuluar plot të reja e të pathëna, prapa blogereve të ushqimit.  Sot, do të ndalemi tek një rast jo shumë i zakontë.

Kemi intervistuar Flavion, një djalë shumë i talentuar, që porpos jetës profesionale gjen kohë edhe për blogun e tij të gatimit.  Po, po! E lexuat mirë.  Një djalë që gatuan jo vetëm vezë të skuqura, por një pafundësi recetash për t’u pasur zili.

Nëse ende nuk e ndjek Flavion mund ta bësh duke klikuar këtu. Dhe nëse do të njihesh më tepër me profilin e tij, Neps.al ta mundëson këtë përmes intervistës më poshtë.

Shijojeni!

-Dua ta nis direkt me pyetjen: Përse Flavokado? Si lindi ky emër?
-Fillimisht ju falenderoj për ftesën në këtë intervistë, është kënaqësi për mua. ‘Flavokado’ si emër lindi para pak muajsh, pasi nuk po e gjeja më veten tek emri i vjetër i blogut “fitfoodie.al”.  Më duhej një emër që të godiste, të mbahej mend, i shkurtër por edhe kuptimplotë. Mu desh pak kohë të arrija në këtë emer, por lidhja fillestare ishin shkronjat e përbashkëta tek emri im dhe fjala avokado, pra shkronjat AVO. Eshtë e ditur se avokado si frut ka shumë pëfitime për shëndetin dhe kjo më shtyu të bëja lidhjen direkte me blogun, ku qëllim kryesor është promovimi i ushqimit të shëndetshëm, të gatuar në shtëpi.

-Me çfarë merret Flavio në jetën e përditshme (përpos Flavokados)? Si ia del t’i menaxhosh të dyja?
-Në jetën e përditshme une punoj në një institucion financiar, me orar të plotë dhe këtu fillon komplikohet disi situata. Megjithate pasioni mbizotëron dhe mundohem t’ia dal gjithnje të kem 3-4 receta minimumi për të ndarë me ndjekësit gjatë një jave. Ose do gatuaj në fundjavë që e kam kohën më të lirë, ose do gatuaj në mbrëmje dhe fotot do i bëj në mëngjes, para se të nisem për në punë. Sido që të jetë përpiqem ta gjej kohën për të shkrepur fotot për blogun.

-Çfarë të lidh me ushqimin? Pasion, trend i kohës apo diçka tjetër?
-Ushqimi për mua është lumturi, është pasion, është ajo çfarë na mbledh me njerëzit e dashur. Përveçse e shijoj shumë ushqimin, më pëlqen të gatuaj për familjaret e mi pikërisht ato receta që në familje janë trashëguar brez pas brezi, por pse jo edhe receta moderne për t’i surprizuar ata dhe për të dalë nga e zakonshmja.


-Kush merret me fotot e tua aq të kuruara në faqen e Instagramit?
-Të kesh nje faqe Instagrami për një tematikë çfarëdo, kërkon që të mësosh t’i bësh të gjitha. Edhe pse me nje smartphone të thjeshtë, pa kamera profesionale, është e mundur të bësh foto shumë të bukura dhe për këtë mendoj se çelësi është ai syri estetik, që më ka ndihmuar shumë në procesin e krijimit apo editimit të nje fotoje. Kjo e dyta kërkon po ashtu kohën e vet, pasi ka shumë detaje rreth nje fotoje që duhen përpunuar, në mënyrë që rezultati të jetë siç ne duam.

-Si ia del një djalë në shoqërinë shqiptare të jetë një foodbloger? Ke më tepër vlerësime, paragjykime?
-Ndër femrat shumë të zonja që kanë blogjet e tyre të gatimit/ushqimit, do duhej të ishte se s’bën edhe një djalë. Nuk mendoj se ka ndarje gjinie për kryerjen e një profesioni apo pasioni, pasi sot gjithësecili është i lirë të bëjë atë që do. Për më tepër në kuzhinë meshkujt kanë dalë gjithmonë të suksesshëm. Kështuqë pse mos të japim një shembull se edhe djemtë e rinj duhet të gatuajnë dhe duhet të kujdesen për shëndetin e tyre që herët, duke lënë mënjanë stereotipet dhe komplekset mbi këtë gjë.

Paragjykime deri më sot nuk kam pasur, veçse përgëzime për punën që bëj me blogun dhe vlerësime të shumta. Jam shumë falenderues ndaj çdokujt që ka mbështetur Flavokadon që në fillimet e veta.

 -Si filloi Flavokado dhe me çfarë qëllimi? Pas gjithë kësaj kohe që ka kaluar a mendon se ia ke arritur?
-Siç e thashë edhe më sipër emri i parë ka qenë fitfoodie.al, një emër që kishte për qëllim të lidhte fitnessin dhe ushqimin. Fitnessi është një ndër pasionet e mia të tjera dhe në blog ka pasur edhe video ushtrimesh të ndryshme. Angazhimet me punën apo probleme të tjera e bënë të pamundur zhvillimin e të dy pasioneve paralelisht, kështu që ushqimi mori fokusin kryesor. Qëllimi i vetëm ka qenë dhe vazhdon të jetë promovimi i ushqimit të mirë të gatuar në shtepi dhe rrjedhimisht kujdesi ndaj shëndetit, pasi mendoj se aty ku fillon çdo problem shëndetësor është mënyra si ushqehemi. Nuk thuhet kot “Ushqimi është ilaç”.

Mendoj se ia kam arritur që në momentin kur kam frymëzuar personin e parë për të marrë iniciativën për të gatuar vetë apo ndryshuar regjimin ushqimor. Tani që numri i ndjekësve është rritur padyshim që ia kam arritur.

-Si e vlerëson punën e kolegëve të tu në Instagram? Do të veçoje ndonjë emër?
-Unë mund të flas vetëm me admirim për punën e kolegëve në Instagram. Shumica e blogjeve të tjera janë shumë më të vjetra dhe kanë vite që bëjnë një punë të mrekullueshme dhe deri diku kanë qenë frymëzim edhe për mua.

Eshtë e vështirë të veçoj emra, pasi secili sjell stilin e tij qoftë ne mënyrën e gatimit, qoftë në prezantimin e pjatave. Për më tepër që vijme nga krahina të ndryshme dhe jemi rritur në mjedise të ndryshme, kështu që çdokush sjell veçorite e tij në recetat që postojmë në blog. Po ashtu edhe preferencat individuale ndikojnë që një gatim të njëjtë ta sjellim në forma të ndryshme, pasi ne foodbloggers e kemi pak zakon të ndërhyjmë në recetat origjinale për të shtuar apo hequr detaje.

 -Sa e lehtë është të bësh review në Shqipëri dhe a e kanë mirëpritur bizneset nismën tënde?
-Më pëlqen shumë kjo pyetje, pasi edhe kanali në “Youtube” është një ndër elementet që plotëson kornizën e blogut. Tek kanali Flavokado ka jo vetëm video-receta, por edhe review për produktet e kujdesit ndaj lëkurës. Këto review nuk janë të sponsorizuara, por lindin nga dëshira ime personale për të ndarë eksperiencën me produkte të ndryshme për të ardhur sadopak në ndihmë personave të tjerë.

Po ashtu edhe review mbi restorante të ndryshme vijnë më shumë si sugjerime për ndjekësit që duan një ushqim të mirë dhe të dine se cilat restorante të shmangin kur duan të hanë jashtë.

Deri tani nuk është pritur dhe aq mirë nga bizneset përkatëse, pasi një review jo gjithmonë është pozitive, por kjo pritej të ndodhte. E rëndësishme për mua është të jem i vërtetë, pa u detyruar të bëj sikur më pëlqen një produkt që realisht nuk ka funksionuar për mua.

-Si i ke raportet shpenzim/fitim me blogun tënd?
-Të jesh një blogger në hapat e parë do të thotë që fjala fitim nuk duket fare në horizont. Duam apo s’duam ne reputacioni i krijuar dhe numri i ndjekësve janë esenciale për bashkëpunime me biznese të ndryshme. Deri më tani nuk kam pasur ndonjë të tillë, kështu që po kaloj tek ana tjetër, shpenzimet.

Përsa i përket përbërësve që përdor nëpër receta shpenzimet nuk janë jashtë normales, por më shumë vend zënë aksesorët e gatimit, enët që nevojiten, pjata të reja, ose edhe produktet që janë miqësore me mjedisin. Tasat, lugët, pirunjtë nga druri i kokosit janë të preferuarit e mi dhe mendoj se përcjellin një tjetër mesazh të rëndësishëm që është përdorimi efiçient i drurit natyral dhe përdorimi i enëve jo-plastike.

 -Gatuan vetë në jetën e përditshme? Si është një dietë e jotja ushqimore? Sa mirë mendon që ushqehen të rinjtë e moshës tënde?
-Duke qenë se nuk jetoj me familjen gatuaj çdo vakt vetë, sigurisht kur nuk ha jashtë, pasi jo gjithmonë arrij të kap ritmin dhe detyrohem të porosis ushqim të gatshëm. Dieta ime ushqimore prej kohësh konsiston në një balancë të mirë midis makro dhe mikro nutrientëve. Kryerja e aktivitetit fizik më detyron që të konsumoj shumë kalori, të cilat vijnë nga karbohidratet dhe proteinat kryesisht. Do sugjeroja përdorimin e karbohidrateve me origjinë integrale dhe proteinave bimore sa më shumë, duke përmendur këtu bishtajoret, farat e frutat e thata, por sigurisht edhe peshk dhe mish të bardhë. Frutat dhe perimet pastaj i kam të pandashme nga dieta ime, ku mesatarisht konsumoj 7 të tilla në ditë duke u siguruar të jenë me ngjyra të larmishme.

Unë kam plot miq e kolegë që e marrin ushqimin me vete në pune dhe kjo gjë më gëzon, pasi është një përfitim për shëndetin. Nga ana tjetër jam i vetëdijshem se shumë të rinj mbushin fast-foodet çdo ditë duke konsumuar ushqimet e shpejta pa kuptuar se po e dëmtojnë shumë rëndë shëndetin e tyre.

-A ke një recetë të preferuar që do e veçoje për ndjekësit e Nepsit?
Unë jam shumë llups dhe vetëm për të veçuar receta nuk më pyet dot. Megjithatë do veçoja dy receta shumë interesante dhe që mendoj se do surprizonin dhe miqtë apo të afërmit tuaj.

E para do ishte galeta ose crostata, mbushja e të cilës mund të bëhet e kripur ose e ëmbël. Më poshte gjeni nje galetë me fruta pylli. Mund  të perdorni luleshtrydhe meqe i kemi në sezon.

View this post on Instagram

🍓 'Galette' me fruta pylli 🍓 Po ju tregoj fillimisht si më lindi ideja për këtë ëmbëlsirë. S'e di për ju po mua nuk më pëlqejnë dhe aq luleshtrydhet si frut më vete, prandaj e kam më të lehtë t'i ha në ëmbëlsira apo smoothie. Meqë më kishin mbetur disa luleshtrydhe në frigorifer dhe fatkeqësisht ato prishen shpejt po kërkoja për ndonjë alternativë se si t'i përdorja. Mendja më mbeti tek kjo krostata ose galeta me fruta pylli, ku normalisht përfshiheshin edhe luleshtrydhet. 🍰 Boronicat dhe manaferrat unë i mora nga ngrirja dhe pasi i lashë të shkrinin pak, copëtova dhe luleshtrydhet mbi to. Mund ta bëni edhe vetëm me luleshtrydhe meqë gjenden më lehtë tani në sezon. Për shijen e kësaj ëmbëlsire nuk kam ç'ju them, por po ju tregoj fillimisht si përgatitet. Për brumin ju duhen: ✓ 140 gr miell ✓ 80 gr gjalpë i ftohtë në kubikë/ copëza ✓ 2 lugë çaji sheqer ✓ 1 lugë çaji kripë ✓ 4-5 lugë gjelle ujë i ftohtë Bashkojmë miellin me kripën dhe sheqerin në një tas dhe i trazojmë. Më pas shtojmë gjalpin e copëtuar. Unë përdora një mikser dore për brumra, por një proçesor ushqimesh do ju bënte më shumë punë. Pasi mielli dhe gjalpi kanë filluar të bashkohen, shtojmë ujin pak nga pak derisa masa të jetë më e unifikuar. Në fund unë e bashkova me dorë për të krijuar një top dhe e lashë 10 minuta në frigorifer meqë gjalpi po zbutej shumë. Për mbushjen ju duhen: ✓ 300 gr fruta pylli ✓ 60 gr sheqer ✓ 2 lugë çaji miell ✓ lëngu i 1/2 limoni ✓ lëkura e grirë e limonit Në tasin me frutat hedhim gjithë përbërësit e mësipërm dhe trazojmë. I lëmë 10 minuta që frutat të thithin sheqerin dhe miellin. Përgatitja: Në tavolinën e punës spërkasim miell dhe fillojme hapim brumin me petës. Kur peta të jetë holluar mjaftueshëm e vendosim në tavën me letër pjekeje dhe e mbushim në mes me përzierjen me fruta duke lënë hapësirë anash për mbështjelljen. Mbledhim pjesën anësore rreth mbushjes dhe nëse doni mund të lyeni anët me vezë dhe ta spërkasni me sheqer. E fusim në furrën e parangrohur për rreth 30-35 minuta, derisa të ketë arritur ngjyrën e artë. Meqë nuk kisha akullore, unë e shoqërova me pak krem djathi dhe kombinimi ishte parajsa vetë. 🤤 #galette #berries #berrygalette

A post shared by Flavio Mato | Foodie (@flavokado_) on

Receta e dytë do ishte akullorja pa qumësht, apo ‘nice cream’. Meqë jemi afer sezonit të verës le ta bëjmë vetë akulloren dhe mbi të gjitha ta bëjmë të shëndetshme. Mjaftojnë fruta të ngrira dhe fare pak qumësht bimor për të bërë një akullore që nuk do ju shëndoshë.

View this post on Instagram

A keni dëgjuar ndonjëherë për 'nice cream'? A e gjeni dot çfarë përmban tasi në foto përveç bananes? 🤔 Nice cream nga emri tingëllon shumë afër me 'ice cream', pra akullore, por ndryshimi është shumë i madh. Nice cream nuk përmban qumësht, pasi bazën e ka fruta të ngrira dhe kryesisht banane e ngrirë. Pastaj frutat shtesë që mund t'i hidhen janë sipas shijeve të secilit. Edhe 'superfoods' si matcha, spirulina, klorela, etj mund t'i shtohen. Sa të na ngrohet koha do kënaqemi me këtë recetë. 😋 #nicecream #smoothiebowl #veganicecream #eeeeeats #foodphotographyandstyling #foodgasm #foodintheair #delish #cleaneating #eatinghealthy #healthyhabits #healthyfood #fitfood #fitnessfood #fresh #goodfood #lovefood #foodie #foodinspiration #foodporn #tirana #albanian #receta #gatime #ushqim #gatimeshqiptare #gatimetradicionale #traditashqiptare #kuzhinashqiptare

A post shared by Flavio Mato | Foodie (@flavokado_) on

Foto kryesore dhe recetat marrë nga faqja zyrtare në Instagram e Flavokado
Intervistoi: Adela Zeneli 

Lini një koment