Sugjerojmë:

Këto janë “pjatat e fatit” që duhet të servirni sot për një vit të mbarë

Tek ne bollëku i tryezës së Vitit të Ri është e gjitha një besëtytni sipas të cilës, nëse tryeza është e mbushur, vitin tjetër do të kemi të ardhura, pra do të jetë plot me bereqet. Në fakt edhe në botë ndodh kështu. Përveç mënyrës unike të festimit, amvisat nuk harrojnë të përgatisin pjatën që do t’ju sjellë mbarësi përgjatë gjithë vitit tjetër.

Më poshtë do t’ju prezantojmë 10 recetat më fatsjellëse, që praktikohen në vende të ndryshme të botës. Hidhuni një sy, mbase ndonjëra do t’ju pëlqejë aq shumë sa ta praktikoni edhe ju në shtëpinë tuaj…

Forma rrethore për SHBA-të

Rrathët janë simbol i dashurisë së vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, çdo ushqim që ka këtë formë është i pranishëm në tryezën e Vitit të Ri. Kështu pra, për amerikanët konsumimi i petullave apo gjevrekëve në natën e ndërrimit të viteve do të thotë t’i premtojnë njëri-tjetrit dashuri të vazhdueshme. Por një tjetër alternativë shumë e mirë festive do të ishte dhe “keku skandinav”, i cili bëhet me miell bajamesh dhe dekorohet me petë sheqeri. Ai bëhet në formën e rrathëve, të cilët vendosen sipër njëri- tjetrit, në formën e pemës së krishtlindjeve. Duhet ta provoni, është vërtet një ëmbëlsirë “epike”, ndoshta receta më e mirë që kanë nordikët. Një tjetër ide është “keku i mbretit” (King’s Cake), ai e ka origjinën nga Lihtenshteini. Është një kek në formë rrethi, i dekoruar përsipër me një petë sheqeri shumëngjyrëshe. Brenda mbushet me lëkurën e portokallit dhe stafidhe rrushi dhe në mes vendoset një bajame. Atij/asaj që i bie bajamja quhet mbreti/mbretëresha e ditës dhe do të ketë fat gjithë vitin.

E ardhmja e fshehur

Pjata e dytë me fat, e cila konsumohet në disa shtete në SHBA-ve është, pudingu me oriz. Quhet e “ardhmja e fshehur” sepse brenda hidhet një bajame apo një stafidhe rrushi. Personit, të cilit i qëllon, mendohet se do të ketë fat të mirë dhe mbarësi gjatë gjithë vitit.

Sallatë me patate për rusët

“Olivier Salad” është një pjatë fatsjellëse në Rusi. Sallata bëhet me patate, proshutë, bizele, karota dhe vezë. E përpos fatit që kjo pjatë sjell në natën e ndërrimit të viteve, është edhe një pjatë shumë e mirë që të bën ta mbash pijen e tepruar në këto raste. Kështu, nëse keni menduar që ta kaloni natën jashtë e do të pini shumë, atëherë një alternativë shumë e mirë mund të jetë sallata Ruse me patate. Kjo është një pjatë tradicionale, të cilën Rusët e servirin në çdo festë të rëndësishme. Sa i përket kësaj tradite mund të themi se edhe ne e kemi huazuar atë.

Legumet

Nuk ka si legumet kur bie fjala te pasuria. Nëse jeni duke kërkuar fatin është shumë e thjeshtë ta sillni me një pjatë legumesh. Italianët e nisnin darkën e Vitit të Ri me një pjatë thjerrëza. Ky është një ritual që ata e përsërisin çdo vit. Amerika e Jugut konsumon bizelet fatsjellëse natën e ndërrimit të viteve. Ndërsa afrikanët kanë një ritual më interesant: Ata duhet të hanë një bizele për çdo ditë të muajt, pra plot 365 bizele në mënyrë që çdo ditë e vitit të jetë e begatë dhe e mbushur me fat. Lëreni pra stomakun të ketë pak uri dhe provojeni…

Kafshimi i artë

Nuk do të kafshoni ar a flori në të vërtetë. Por sipas besëtytnisë, buka e misrit simbolizon arin, apo ndryshe e thënë paratë. Nëse jeni të dhënë pas parave dhe doni që viti i ri t’ju gjejë më të pasur atëherë bëni një bukë misri sikundër bëjnë në Paraguai. Shumë djathë, shumë speca dhe qepë. Nuk është keq një kafshatë fati, të gjithë kemi nevojë.

Mish derri për progres

Lituania ka një traditë shumë të bukur në lidhje me pjatat që sjellin fat në ndërrimin e viteve. Ata gatuajnë rosto me mish derri. Nuk dihet me saktësi se përse kanë zgjidhur këtë kafshë si fatsjellëse, ndoshta prej majmërisë që ka. Megjithatë një rosto me mish derri dhe ca kumbulla të thata nuk është aspak ide e keqe për një darkë siç është ajo e Vitit të Ri. Pak rëndësi ka pastaj nëse i besoni besëtytnisë së pjatës apo jo.

Nodels për të jetuar gjatë

Në Azi makaronat nodels të gjata përfaqësojnë jetëgjatësinë. Sigurisht që kjo recetë është shumë e shpeshtë në tryezat e tyre. Por në veçanti, ato konsumohen mbrëmjen festive. Në ka një gjë e cila është më e rëndësishme në jetën e dikujt, ai është shëndeti. Epo aziatikët ia dinë vlerën jetës. Ato janë të shëndetshme dhe shumë të shijshme e meqë sjellkan fat pse të mos i provojmë.

12 kokrra rrush për fat

Kush ka festuar Vitin e Ri në Spanjë apo Portugali është shumë familjar me këtë ritual. Edhe nëse je duke darkuar në një restorant, stafi nuk harron të japë me vete 12 kokrra rrush, duke të sugjeruar që t’i hash shpejt e shpejt kur ora të shkojë 00:00, duke shprehur nga një dëshirë për çdo muaj. Besohet se kjo traditë fatsjellëse lindi diku nga viti 1800 në Madrid. Janë dymbëdhjetë kokrra që në mënyrë simbolike përfaqësojnë dymbëdhjetë muajt e vitit. Një kokërr rrush për secilin muaj do të thotë një vit më i mbarë dhe më i begatë. Tregohuni të kujdesshëm, ajo kokërr rrushi që do të jetë më e ëmbël ashtu do të jetë edhe muaji që i korrespondon. Ama nëse një kokërr do t’ju qëllojë e thartë, atëherë bëni kujdes.

Perime të gjelbra

Një tjetër traditë mjaft e bukur vjen nga Kenia. Ushqimet si sallata kale, sallatë jeshile apo lakrat e ndryshme, sipas traditës keniane duhet të konsumohen natën e Vitit të Ri sepse ato jo vetëm që simbolizojnë shëndetin dhe jetën falë ngjyrës jeshile, por gjithashtu simbolizojnë edhe paratë. Shëndet plus para, baraz me një super vit dhe kenianët bëjnë shumë mirë që i kërkojnë të dyja.

Kek me çokollatë, liker dhe krem gjalpi

Mbylleni natën festive me një super kek, siç bëjnë irlandezët. Kek me çokollatë (mundësisht e markës Gines), liker (Baileys) dhe krem gjalpi. Ky kek, jo vetëm që është shumë fatsjellës sipas irlandezëve, por është dhe shumë i shijshëm për shqisat e të shijuarit. Kështu që ia vlen ta shijosh, sjell apo nuk sjell fat.

Lini një koment