Sugjerojmë:

Krepa role me spinaq dhe djathë, përfektë për fundjavën familjare

3 kokrra vezë
250 gr miell
500 ml qumësht i vakët
Kripë
Për mbushjen:
250 gr gjizë
150 gr djathë i bardhë
500 gr spinaq i larë dhe i grirë
Kripë
Përbërësit për beshamelin:
500 ml qumësht
50 gr miell
50 gr gjalpë
1 e verdhë veze
Për t’i spërkatur sipër përpara se t’i fusim në furrë duhen:
60 gr djathë parmixhano i grirë
1 lugë gjalpë i tretur


1.Për krepat: Në një tas rrahim vezët me pak kripë, shtojmë qumështin dhe miellin dhe vazhdojmë t’i përziejmë derisa të përftojmë një përzierje homogjene. Më pas e lëmë të pushojë 30 minuta.

2.Ngrohim në temperaturë jo shumë të lartë, një tigan të sheshtë që nuk ngjit, të lyer me pak gjalpë, ndërsa me letër kuzhine heqim yndyrën e tepërt, pasi krepat nuk kanë nevojë për shumë yndyrë. Hedhim në tigan 1 garuzhde me brumë, jo të mbushur plot, dhe skuqim krepat nga të dyja anët për 1 minutë. Vazhdojmë kështu derisa të përfundojë i gjithë brumi.

3.Krepat mund t’i përgatisim edhe një ditë më parë, në këtë rast pasi t’i skuqim i ndajmë nga njëri-tjetri me letër pjekjeje ose letër alumini. I vendosim në një pjatë të madhe, i mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe i ruajmë në frigorifer deri në momentin që do t’i përdorim.

4.Përgatisim mbushjen:Në një tenxhere me ujë dhe kripë që po zien, hedhim spinaqin dhe e lëmë për pak minuta derisa të zbutet. E heqim, e kullojmë dhe e shtrydhim mirë për t’i hequr ujin e tepërt. Në një tas përziejmë spinaqin e vakët me gjizën dhe djathin e thërrmuar.

5.Marrim krepat dhe në secilin prej tyre vëmë pak nga mbushja, i mbështjellim si role dhe i vendosim në një tavë të lyer më parë me pak gjalpë, por nuk duhet t’i vëmë shumë pranë njëri-tjetrit.

6.Përgatitja e beshamelit: Në një tenxhere të vogël hedhim miellin dhe qumështin, i përziejmë mirë me rrahësen e vezëve për të eliminuar kokrrat që mund të krijohen nga mielli dhe e vëmë tenxheren në flakë me nxehtësi të ulët, duke e përzier vazhdimisht.

E lëmë për 2-3 minuta dhe pasi të marrë valë, e heqim nga zjarri, shtojmë gjalpin në copa të vogla dhe të verdhën e vezës. E përziejmë sërish me shpejtësi me rrahësen e vezëve.

7. Më pas, mbi krepa hedhim me lugë beshamelin, i spërkasim sipër me djathin e grirë dhe me gjalpë të tretur.

8. I pjekim për 20 minuta në furrën e ngrohur paraprakisht dhe më pas, për 10 minuta të tjera në opsionin “grilë” ose derisa të marrin ngjyrë në sipërfaqe. 9.I shërbejmë të ngrohta.

Lini një koment